Humbi djalin, Zamparini i shokuar: Është një tragjedi e pafund

Maurizio Zamparini rrëfen për “La Repubblica” të gjithë dhimbjen e tij, pas humbjes së djalit Armando, që u gjet i vdekur në Londër.

“Armandino vdiq një ditë para se të fillonte punë në një firmë të madhe këtu në Londër. I çova një mesazh një ditë më parë: Paç fat. Por nuk mora kurrë përgjigje. Është një tragjedi e pafund”, ka thënë ish-presidenti i Palermos.

Armandino, siç e thërrsite familja, jetonte në Londër me një shok, aty studionte dhe punonte. Autopsia që do të zhvillohet në orët në vazhdim do të tregojë shkaqet e vdekjes të të riut.

Nga të dhënat e para, flitet për një arrest kardiak. Megjithatë, ish-presidenti i Palermos ka mohuar që i biri 23-vjeçar të kishte probleme me zemrën: “Ka vuajtur nga një bronkit azmatik në të shkuarën, që i ka shfaqur disa probleme, por jo ndonjë sëmundje tjetër me sa di unë”. / Oversport.tv