Ditë e errët në Portugali. Dështimi për t’u kualifikuar në mënyrë direkte për në Botërorin e Katarit dhe humbja me Serbinë ka sjellë një reagim të ashpër të mediave vendase. Rrugëtimi i Cristiano Ronaldos kalon nga “Play Off”-i.
Do të ishte gjithçka më e thjeshtë nëse fitonin përballë publikut të tyre, por nuk ia dolën dhe ballkanasit përmbysën golin e Sanchesit. Faqet e para me Cristiano Ronaldon ishin shumë të ashpra.
Sigurisht që gazetat sportive ishin ato me qëndrimin më të fortë duke vendosur tituj si: Turp Botëror, Mizerable, Eklips total.
Trajneri Santos mori përgjegjësinë e këtij dështimi. “Luajtëm me frikë dhe ankth. Përgjegjësia është imja. ADN-ja jonë na bën të luajmë mirë, por patëm vështirësi. Bernardo ishte i vetmi që kërkonte topin”, tha ai.
Edhe gazetat gjeneraliste kanë shkruar me ashpërsi ndaj Portugalisë për këtë humbje. “Pak ambicie për shumë talent”, “Zhgënjim”, “Dush i ftohtë”, ishin disa nga titujt e tyre, ku sigurisht që shoqëroheshin nga foto e Ronaldos. /Oversport.tv