Humbja në Bolivi kushton, Paraguaji shkarkon trajnerin Berizzo

Ka përfunduar aventura e Eduardo Berizzos në krye të pankinës së Paraguajit. Shkarkimi i trajnerit argjentinas ka ardhur pas humbjes së thellë 4-0 që skuadra paraguajane pësoi në La Paz përballë Bolivisë, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës, Katar 2022.

Ish-trajneri e mbyll aventurën e tij në krye të Paraguajit pas 31 ndeshjesh të zhvilluara, ku ka arritur 7 fitore, 13 barazime dhe 11 humbje. Një ecuri negative që i kushtoi vendin e punës dhe që rrezikon kombëtaren paraguajane që të mbesë jashtë Botërorit të ardhshëm.

Aktualisht, Sanabria dhe shokët e tij zënë vendin e 8-të në renditje, me 12 pikë të grumbulluara në po aq ndeshje të luajtura. Gjithsesi diferenca me Uruguain dhe Kolumbinë, që qëndrojnë në vend të pestë me pikë të barabarta, është vetëm 4 pikë. /Oversport.tv