Humbje e hidhur për Shqipërinë e Edy Reja, sa shumë pengje për Poloninë

Shqipëria humbi atë që ishte finalja e sezonit, për gjithçka që varej nga këmbët tona. Të jemi të qartë, mbeten dy ndeshje për t’u luajtur, por njëra prej tyre është në Wembley, kështu që… lëre fare. Vetëm ta shijojmë. Për t’u kthyer te finalja në Tiranë, Shqipëria luajti një ndeshje me shumë pengje. Disa prej tyre, domethënëse për çfarë ndodhi në fund.

MUNGESAT
Sa peng që nuk ishin Gjimshiti, Gjasula dhe Cikalleshi. Shqipëria është një skuadër me brez të artë. Në fushë, ishin shtatë kuqezinj që luajnë në Serinë A (pas minutës së 77’) e cila tregon rritjen që ka pësuar Kombëtarja (Berisha, Ismajli, Kumbulla, Veseli, Hysaj, Manaj, Bajrami).

GJIMSHITI I PAZËVENDËSUESHËM
Mungesa e Berat Gjimshitit në mbrojtje, ishte vendimtare sidomos në ndërtimin e lojës. Me stilin e fituar nga eksperienca tek Atalanta, 28-vjeçari merr pjesë në çdo aksion që nis nga portieri. Është ai që nxjerr sferën nga zona. Ismajli, super Kumbulla dhe Veseli bënë siç duhet lojën në prapavijë, por me gjithë respektin për gjithkënd, Gjimshiti momentalisht është i pazëvendësueshëm.

GJASULA, FRYMËZIM PËR BAREN
Klaus Gjasula ishte mungesa e ditës së ndeshjes. Një plus i shënuar në fletën e përgjigjeve për testet anti-Covid, bëri që “Gladiatori” të ishte një tjetër mungesë e madhe për Rejën. Ramadani por edhe Roshi u munduan të bënin çfarë kërkohej ndaj Polonisë, mirëpo, pa Gjasulën në krah, edhe Bare humbet shumë.

CIKALLESHI, PYKA QË DO THYENTE EDHE GLIK
Në mungesë të Cikalleshit, i infektuar me Covid pas ndeshjes me Hungarinë (që në fillim të grumbullimit, Erjon Hoxhallari dhe fizioterapisti Arzen Voci rezultuan pozitivë) dhe Bekim Balajt të dëmtuar dhe jo në dispozicion, trajneri Edi Reja u kushtëzua në zgjedhjet e tij me vetëm 3 alternativa për repartin e avancuar: Uzuni, Manaj dhe Broja.

Dy të parët, u zgjodhën për ta nisur nga minuta e parë dhe në total, kishin vetëm një rast për të thyer polakët, mirëpo sa keqardhje, peng, inat, mërzi për gjithkënd, që lushnjari nuk pasoi në të majtë për Uzunin i cili dilte në pozicion goditës shumë të volitshëm. Me Cikalleshin në fushë, shumëçka do të ishte ndryshe.

Një pikë referimi në sulm, një lojtar që lufton dhe vrapon shumë për të bërë pressing. Një bomber që me Rejën ka arritur perfeksionin edhe në shënimin e golave (12 gola me Kombëtaren) dhe i vetmi që u shënoi polakëve në fushën e tyre. / oversport.tv