Katër golat e Polonisë rëndojnë shumë te Shqipëria. Edy Reja do të duhet të punojë shumë me skuadrën deri para ndeshjes së të dielës, kundër Hungarisë.
Fillimisht në aspektin psikologjik dhe më pas të gjejë zgjidhje për mungesat e rëndësishme që do të ketë. Tre titullarë janë të pezulluar dhe italiani ka një detyrë të vështirë përpara.
Elseid Hysaj, Keidi Bare dhe Rey Manaj nuk mund të luajnë ndaj Hungarisë. Lajm i mirë është që Nedim Bajrami është bashkuar me skuadrën dhe mund të llogaritet për duelin e së dielës.
Ndoshta ai mund të zëvendësojë Baren dhe të debutojë me kombëtaren kuqezi, pasi CAS ia dha të drejtën për të luajtur.
Në vend të Hysajt, duke parë listën e të grumbulluarve, gjasat më të mëdha janë që të aktivizohet Albi Doka i Goricës.
Reja duhet të zgjedhë edhe partnerin e Sokol Cikalleshit, në mungesë të Manajt. Shanset më të mëdha i ka Myrto Uzuni, por alternativa janë edhe Armando Broja dhe Bekim Balaj. / oversport.tv