Hysaj dhe Savic protagonistë, Lazio mposht me vuajtje Cremonesen

Lazio ka arritur të marrë një fitore mes vuajtjesh duke mposhtur Cremonesen në “Olimpico” me rezultatin 3-2 në javën e parafundit të Serie A.

Lazio e nisi takimin në mënyrën më të mirë të mundshme duke kaluar të parët në avantazh. Elseid Hysaj prishi ekuilibrat e këtij takimi për skuadrën e Sarrit duke shënuar golin e parë në këtë kampionat.

Loja e mirë e Lazios u shpërblye sërish në pjesën e parë nga Sergej Milinkovic-Savic që dërgoi ekipin në dhomat e zhveshjes me avantazhin 2-0 në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë, Cremonese tregoi krejtësisht një fytyrë tjetër përballë vendasve. Fillimisht ishte Galdames që ngushtoi diferencat dhe më pas një autogol i Lazzari i dha barazimin miqve për vetëm 4 minuta.

Përgjigja e fundit e vendasve erdhi në fundin e takimit. Ishte sërish Milinkovic-Savic që arriti të shënojë për Lazion dhe kësaj radhe i dha triumfin skuadrës së tij.

Me këtë fitore, Lazio ngjitet në vendin e dytë të klasifikimit të Serie A me 71 pikë të grumbulluara, dy më shumë se Interi i një vendi më poshtë. Nga ana tjetër, Cremonese mbetet në vendin e parafundit të kampionatit italian.

Foto: S.S.Lazio, Twitter