Hysaj: Duhet të jemi grup, individ është edhe Messi dhe s’po fiton dot Botërorin me Argjentinën

Shqipëria kërkon fitoren e parë për vitin 2022 dhe kundërshtari për miqësoren e radhës është Armenia. Në prag të kësaj sfide ka folur së bashku me trajnerin Edoardo Reja edhe mbrojtësi kuqezi Elseid Hysaj.

“Normal dhe ne besojmë se duhet ta marrim një fitore. Ka qenë vërtet një vit i vështirë ku nuk kemi pasur fitore. Duhet një fitore për ta mbyllur dhe për ta harruar këtë vit që kaloi sepse kemi kaluar momente të vështira dhe të mira. Kështu e ka futbolli dhe të gjithë çunat duan një fitore në këtë përballje.”

TË RINJTË- “Kam takuar edhe çunat e rinj që kanë ardhur. Janë njerëz të edukuar, stërviten në skuadër dhe kanë kualitet, siç e treguan edhe me Italinë. Në këtë ndeshje kanë mundësinë të tregojnë veten dhe të tregojnë se e meritojnë vendin në kombëtare.”

TË LARGUARIT- “Është mirë të jemi të gjithë si ekip. Edhe përpara kemi pasur mungesa në të kaluarën dhe mund të na vështirësojë punën. Të gjithë duhet të vinë në kombëtare dhe të japin maksimumin sepse e kemi pasur ëndërr që fëmijë, por edhe tani që e veshim duhet ta kemi akoma ëndërr.

Duhet ta ndjejmë Kombëtaren sepse po na vjen një komb nga mbrapa siç e pamë edhe me Italinë dhe i falenderoj të gjithë tifozët. Në të ardhmen në Euro 2024 duhet që të jemi një grup akoma më i fortë dhe të tregojmë vlerat tona sepse i kemi.”

GRUPI- “Normal që duhet të jemi skuadër sepse individ është edhe Messi dhe nuk po arrin dot të fitojë Kupën e Botës me Argjentinën. Ne jemi një grup i mirë, por si lojtarë duhet ende të bashkohemi se ka dhe çuna të rinj që nuk po kuptohemi të mirë, por jo se po e bëjnë vetë. Duhet të japim më shumë dhe se ndeshjet e kaluara.”

NDRYSHON OBJEKTIVI NGA ITALIA TE ARMENIA- “Nuk është se po luajmë me Armeninë dhe jo me Italinë dhe na ndryshon objektivi. Ne duhet të luajmë gjithmonë siç luajtëm me Italinë që kishim shumë mundësi për të shënuar. Këtë sjellje duhet të kemi edhe për sfidën me Armeninë, të qetë, të dimë vlerën tonë, të japim maksimumin dhe deri në fund ndoshta do të arrijmë të fitojmë.”

NJË FITORE PËR TIFOZËT- “Normal që me Italinë do të ishte plot sepse Italia sjell edhe tifozët e vet. Do të ishte një ndeshje që askush nuk do ta humbte. Është normale që Kombëtarja duhet të japi maksimumin për tifozët dhe tifozët gjithashtu për ne.” /oversport.tv