Pa fat Balliu dhe Vallecano, Betis shkon mes vuajtjesh në finalen e Kupës

Ndonëse ka barazuar 1-1 përballë Rayo Vallecanos në stadiumin “Benito Villamarín”, Betisi ka arritur të sigurojë një vend në finalen e Kupës së Mbretit, falë fitores 2-1 në ndeshjen e vajtjes.

Ka qenë një ndeshje e luftuar nga të dyja skuadrat, por kanë munguar rastet e pastra për shënim në portat respektive gjatë pjesës së parë. Pjesa e dytë është e luftuar dhe emocionet shtohen me kalimin e minutave.

Vallecano kalon në avantazh me një supergol të Bebe nga goditja e dënimit, ndërsa mbrojtësi i kombëtares shqiptare Ivan Balliu shpëton skuadrën madrilene nga një gol i sigurtë, duke larguar topin në vijën fatale.

Balliu ka luajtur si titullar gjatë gjithë takimit dhe ka bërë një paraqitje shumë të mirë, por nuk ka arritur që të shkruajë dot historinë me skuadrën madrilene.

Në finalen e madhe të këtij sezoni të Kupës së Mbretit shkon skuadra e Manuel Pellegrinit, që do të diskutojë trofeun me Valencian në 23 prill. / Oversport.tv

Foto: Real Betis Balompié Twitter

Kupa e Mbretit – Gjysmëfinale / Ndeshja e kthimit

Betis- Rayo Vallecano 1-1

Iglesias 90+2’ /Bebe 80’