I pandalshmi Uzuni, sulmuesi kuqezi shënon sërish dhe ngjit Granadan në vendin e dytë

Myrto Uzuni vazhdon të shkëlqejë në ligën e dytë spanjolle dhe tregohet edhe këtë fundjavë vendimtar për skuadrën e Granadas.

Sulmuesi kuqezi ka gjetur rrugën e rrjetës edhe në sfidën ndaj Las Palmas (ka realizuar golin e dytë të skuadrës së tij në minutën e 41-të), duke shënuar golin e 21-të personal këtë sezon në LaLiga 2. Uzuni kryeson i vetëm listën e golashënuesve në kampionat dhe është shumë pranë thyerjes së rekordit, si lojtari që ka shënuar më shumë me skuadrën e Granadas në një sezon (23 gola është rekordi).

Granada ka fituar këtë përballje direkte me rezultatin 2-1 dhe i ka marrë vendin e dytë në renditje (bileta e fundit që të ngjit direkt në elitën e futbollit spanjoll) kundërshtarit. / Oversport.tv