Ian Wright sulmon Ranierin: Një qaraman, që kërkon alibi për humbjen

Ajo që ndodhi në ndeshjen Arsenal-Watford në Premier Ligë mund të krahasohet me atë që ndodhi në sfidën Lazio-Inter në Serie A. “Topçinjtë” shënuan gol kur një nga lojtarët e skuadrës së Ranierit ishte i shtrirë në tokë, pas një dyluftimi me kundërshtarin.

Madje më parë, ka patur edhe një episod të dyshimtë, për të cilin tekniku italian u ankua në përfundim të ndeshjes: “Ne e kishim nxjerrë topin jashtë në rastin e mëparshëm dhe prisnim që edhe Arsenali të na e kthente. Marrëdhënia ime me Artetën është e mirë, por i thashë se nuk treguan respekt”, ka sqaruar trajneri i Watfordit.

Ky koment ka provokuar replikën e Ian Wright, ish-lojtar i Arsenalit: “Do të thonë pse mban anë, por Ranieri ankohet kot, sepse nuk besoj se duhet të kthenin topin. Nëse ka vërtet diçka që nuk shkon, lojtari qëndron i shtrirë. Ndërsa ai u ngrit. Besoj se Ranieri është një qaraman, që kërkon një alibi për humbjen”. / Oversport.tv