Stili mbetet i njëjti dhe Zlatan Ibrahimovic nuk ka ndërmend të ndryshoojë as në moshën 40 vjeçare.
I intervistuar nga “France Football”, revista franceze që organizon dhe shpall çdo vit fituesin e “Topit të Artë”, tema e bisedës padyshim do të ishte për trofeun që suedezi nuk ka arritur ta fitojë kurrë.
Por edhe përgjigjja është në stilin Ibra: “Më mungon Topi i Artë? Jo, është e kundërta. Jam unë ai që i mungoj atij”.
Pastaj në detaje, ka folur edhe për kolegët e tij, që e kanë fituar trofeun prestigjioz më shumë se një herë: “Nëse flasim për cilësi të përgjithshme unë nuk kam asgjë më pak në krahasim me Messin apo Ronaldon.
Nëse konsiderohen trofetë, atëherë po, sepse unë nuk e kam fituar Ligën e Kampioneve. Nuk e di se cilat janë parametrat që vendosin për fituesin e Topit të Artë, por nuk është se e kam problem.
Kur kolektivi funksionon, individi përfiton. Lojtari nuk mund të jetë i mirë, nëse skuadra nuk është e mirë. Në fund të fundit, mendoj se jam më i miri në Botë”-ka përfunduar Zlatan Ibrahimovic. /Oversport.tv