Ibrahimovic: Kush e fiton titullin? Skuadra më të cilën luan Zlatan

Sapo ka mbushur 40 vjeç, por Zlatan Ibrahimovic nuk e ka humbur batutën e tij ironike. Gjatë një interviste, që do të transmetohet sot në mbrëmjë në emisionin “Le Iene”, sulmuesi suedez ka folur për rikthimin e tij në fushë dhe për skuadrën që do të fitojë titullin kampion në këtë sezon të Serie A.

“Cila skuadër do të fitojë titullin kampion? Në cilën skuadër luan Zlatan, tek Milani? Atëherë do të jetë Milani ai që do të fitojë kampionatin këtë vit”, ka thënë sulmuesi i kuqezive, që nuk ka luajtur në takimet e fundit që skuadra ka luajtur në Serie A, për shkak të një dëmtimi.

“Jam 40 vjeç, por ndihem akoma i ri. Kaloi edhe një vit tjetër dhe tani mezi pres që të rikthehem në fushën e blertë dhe të ndihmoj skuadrën time për të arritur objektivat. Kam vetëm disa probleme të vogla, që do të zgjidhen shumë shpejt”, ka përfunduar Ibrahimovic.

Periudha e pushimit do t’i shërbejë suedezit që të rikuperojë dhe të rikthehet në dispozicion të Piolit për ndeshjen e ardhshme në kampionat. /Oversport.tv