Ibrahimovic nuk luan me Milanin, por Suedia e grumbullon për kualifikueset, Katar 2022

Zlatan Ibrahimovic ka munguar në ndeshjet e fundit të Milanit, pasi ka qënë i dëmtuar. Gjendja e sulmuesit ka ardhur duke u përmirësuar, por Pioli nuk ka dashur ta rrezikojë, duke mos e grumbulluar në takimet e fundit që kuqezinjtë kanë luajtur.

Por trajneri i kombëtares së Suedisë, Janne Andersson, nuk mendon kështu, pasi e ka grumbulluar Ibran për dy ndeshjet e radhës kualifikuese për kupën e Botës, Katar 2022, që skuadra e tij do të luajë kundër Kosovës dhe Greqisë.

“Vendosa ta grumbulloj sepse besoj dhe shpresoj që ai mund të na ndihmojë të arrijmë objektivat. Po rikuperohet nga një dëmtim dhe do ta shohim gjendjen e tij kur të takohemi javën tjetër”-ka thënë tekniku Andersson, që përveç 39-vjeçarit kuqezi ka grumbulluar edhe tre lojtarë të tjerë që luajnë në Serie A: Albin Ekdal (Sampdoria), Dejan Kulusevski (Juventus) dhe Mattias Svanberg (Bologna). /Oversport.tv