Klaas-Jan Huntelaar i ka dhënë fund karrierës së tij si futbollist profesionist. Pas largimit nga Schalke 04, sulmuesi hollandez ka vendosur që të mos firmosë me asnjë klub tjetër.
Në fillim ishte Federata Holandeze e Futbollit që njoftoi tërheqjen e 38-vjeçarit nga futbolli i luajtur dhe më pas bashkëatdhetari i tij Ryan Babel, që përgëzoi Huntelaarin për karrierën e tij. Vetë sulmuesi nuk ka bërë akoma një deklaratë zyrtare.
Huntelaar surprizoi kur u rikthye tek gjermanët dimrin e kaluar, por nuk arriti të shpëtojë skuadrën nga rënia nga kategoria. Sulmuesi është një legjendë për Schalken dhe Ajaksin e Amsterdamit.
Huntelaar ka luajtur 249 ndeshje zyrtare me skuadrën gjermane dhe ka shënuar 128 gola. Me 82 gola të shënuar në Bundesligë, holandezi është golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e Schalke.
Nuk duhen harruar edhe aventurat e tij me Realin e Madridit dhe Milanin.