Iku në Kinë për para, Oscar gati të ulë rrogën për Barcelonën

Merkato e janarit është shumë intensive në “Camp Nou”. Pas transferimeve të Dani Alves dhe Ferran Torres dhe largimit të Coutinhos, Barcelona është hedhur në kërkim për një sulmues qendre. Kjo është kërkesa e madhe e Xavi Hernandezit, edhe pse në horizont janë shfaqur të tjera objektiva për klubin katalanas.

Një nga këta futbollistë është ai që ka rrogën e pestë më të lartë në planet. Bëhet fjalë për Oscar dos Santos, ish-lojtarin e Chelseas, i cili prej vitit 2017 luan me Shanghai Port.

Është vetë lojtari brazilian që kërkon të luajë me Barcelonën. 30-vjeçari e ka mbyllur kampionatin kinez me këtë skuadër dhe është gati që të rikthehet në Europë. Ai gjithashtu është i gatshëm për të ulur rrogën vetëm që të luajë në “Camp Nou”.

Oscar në fakt ishte një nga lojtarët që doli hapur duke thënë se shkoi në Kinë vetëm për rrogën e lartë sepse jeta e futbollistit është shumë e shkurtër. Duket se ka ndryshuar mendje, sepse futbolli i niveleve të larta është gjithmonë tërheqës. Për momentin Barça nuk ka bërë lëvizje për futbollistin brazilian, kontrata e të cilit përfundon në vitin 2024. /oversport.tv