Ilir Daja e Partizani ndahen edhe zyrtarisht, publikohet komunikata

Ilir Daja edhe zyrtarisht nuk është më trajner i Partizanit. Klubi i kuq ka dalë me njoftim dhe bën me dije se palët janë ndarë paqësisht pas 18 muajsh bashkëpunim.

“FK Partizani njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Ilir Daja. Në përfundim të vitit kalendarik të aktivitetit sportiv, drejtuesit dhe trajneri Daja kanë zhvilluar një takim në të cilin është diskutuar ecuria dhe performanca e skuadrës.

Në përfundim palët kanë vendosur të ndahen miqësisht dhe të ndërpresin bashkëpunimin mes tyre për pjesën e mbetur të sezonit.

Klubi falënderon trajnerin Ilir Daja për kontributin e dhënë dhe punën e përkushtuar që ka bërë gjatë gjithë kësaj periudhe në drejtimin e ekipit të Partizanit, duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Partizanit.

Daja dhe drejtuesit e të kuqve e kishin mbyllur bashkëpunimin që të premten, një ditë pas humbjes në derbi me Tiranën. Vetë trajneri e paralajmëroi një lëvizje të tillë.

Humbja në derbi ishte vetëm kulmi, pasi ajo që shqetësoi më së shumti ishte ecuria në 15 javët e para të kampionatit. Partizani grumbulloi 18 pikë dhe renditet në vendin e pestë, çka nuk ishte menduar në fillim. / oversport.tv