Insigne largohet mes duartrokitjesh, Napoli dërgon Genoan në Serie B

Napoli mposht 3-0 Genoan dhe dërgon skuadrën kuqeblu me shumë mundësi në Serie B. Skuadra e Spallettit nuk ka toleruar në ndeshjen e lamtumirës së kapitenit Insigne dhe ka fituar sfidën e fundit sezonale në stadiumin “Maradona”.

Osimhen zhbllokon shifrat në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë është kapiteni Insigne që feston me tifozët golin e shënuar nga pika e bardhë e penalltisë. Lobotka vulos këtë fitore të pastër të vendasve me golin e tretë.

Në ndeshjen e tij të fundit në “Maradona”, kapiteni i Napolit Lorenzo Insigne, që do të nisë një aventurë të re në MLS, ka marrë një çmim para fillimit të sfidës kundër Genoas.

Kuqeblutë kërkojnë pikë për të besuar te mbijetesa dhe rrezikojnë me Portanovan, madje godasin edhe traversën me Yeboah. Por në avantazh kalojnë vendasit falë një goli të shënuar me kokë nga Osimhen.

Skuadra e Blessin mundohet të reagojë me Portanovan në pjesën e dytë, por nuk arrin që të baraspeshojë rezultatin. Napoli dyfishon rezultatin me Insigne, që shënon nga pika e bardhë. Kapiteni godet shtyllën në gjuajtjen e parë, por më pas penalltia përsëritet dhe Insigne dërgon topin në rrjetë.

Goli i dytë shuan shpresat e Genoas për mbijetesë dhe pak minuta më vonë Napoli shënon edhe golin e tretë me anë të Lobotkas. Nuk ka më histori kjo sfidë, që mbyllet me fitoren e pastër të vendasve. / Oversport.tv

Foto: Official SSC Napoli Twitter