Një gol dhe një asist në ndeshjen e fundit ndaj Fiorentinës, katër gola gjithsej që nga fillimi i sezonit. Shifrat flasin qartë për momentin e artë që po përjeton Davide Frattesi me Sassuolo-n.
Në sezonin e tij të parë në Serinë A, mesfushori i lindur në vitin 99 po tregon se e meriton të jetë në ligën më të mirë italiane, pas shumë vitesh pozitive në Serie B, mes Ascoli, Empoli dhe Monza. Një super performancë, e cila bëri që Frattesi të përfundonte në qendër të disa top klubeve: Interit, Milanit, Juventusit, madje edhe Romës.
Historia e Davide filloi që nga sektori i të rinjve të Romës. Në vitin 2017, në verën kur Lorenzo Pellegrini dhe Gregoire Defrel nga Sassuolo mbërritën në kryeqytet, Frattesi bëri udhëtimin e kundërt.
Pesë milionë euro të paguara nga Sassuolo në atë kohë, me Romën që kishte të drejtën e riblerjes për 7.5 ose 10 milionë euro për vitet në vijim. Një e drejtë e pa ushtruar, edhe pse Roma mund të fitojë ende nga marrëveshja.
Në fakt, një klauzolë mbetet ende aktive e cila i njeh Romës të drejtën e përfitimit të një përqindjeje në shitjen e ardhshme të mesfushorit. Një vlerë që do të luhatet ndërmjet 15 dhe 30% të vlerës përfundimtare, deri në maksimum pesë milionë euro.
Një vlerë e rëndësishme kjo, e cila mund të shihet edhe si një zbritje në rast blerjeje nga Roma. Megjithatë, deri më sot, tre emrat e tjerë të mëdhenj janë në “pole position” për të fituar shërbimet e talentit italian. /oversport.tv