“Inter ka lëvizur i pari, me Milanin nuk kam folur”, drejtuesi i Sassuolos flet hapur për të ardhmen e Frattesit

Në Itali e duan të gjithë. Davide Frattesi është kryefjala e merkatos verore me katër gjigantët, Interin, Milanin, Juventusin dhe Romën që po përplasin brirët për të marrë shërbimet e 23-vjeçarit. Për të blerë mesfushorin e Sassuolos duhen të paktën 40 milionë euro dhe këtë gjë e konfirmon vetë Administratori i Deleguar, Giovanni Carnevali me një fjali shumë të qartë.

“Duhen të paktën 40 milionë euro, kjo është kërkesa jonë e vetme”, shprehet fillimisht numri 1 i merkatos së Sassuolos që më pas jep shenja se negociatat mund të sjellin edhe një ulje çmimi në rast se në tratativa futen lojtarë të rinj.

“Në të njëjtën kohë ne jemi të interesuar edhe për lojtarët e rinj me të cilët po negociojmë. Por si çdo tratativë, kur flet, nuk ka një vlerë fikse. Objektivi jonë është gjithashtu që ta shesim Frattesin në një kohë sa më të shkurtër, diçka që do të ishte e mirë si për ne dhe për lojtarin.

Dëshira e tij është të transferohet në një klub të madh dhe kjo është ajo që ne duam të bëjme. Duam ta bëjmë këtë shitje të paktën brenda 10 ditëve të para të korrikut.”

Mediat italiane bëjnë me dije se Interi ka qenë skuadra e parë e interesuar për Frattesin dhe për momentin qëndron në pole position. Diçka të tillë e konfirmon pjesërisht edhe Carnevali, që gjithashtu habit me deklaratën sa i përket interesimit të Milanit.

“Interi është klubi që ka bërë lëvizjen e parë për mesfushorin, por edhe ata janë duke bërë vlerësimet e tyre. Duket qartë që mundësitë nuk mungojnë. Personalisht nuk i kam takuar kurrë drejtuesit e Milanit, por edhe nëse vijnë oferta nga skuadra të tjera ne jemi gati t’i dëgjojmë. Besoj se kush vjen i pari ka mundësi më shumë për të mbyllur me sukses këtë tratativë”, përfundoi Carnevali. /oversport.tv

Foto: U.S. Sassuolo, Facebook