Interi apo Juventusi? Çfarë po ndodh me Romelu Lukakun

Romelu lukaku është shndërruar në tradhtarin e madh. Të paktën kjo sipas tifozëve dhe ultrasve të Interit, të cilët në rrjetet sociale kanë shpërthyer kundër tij duke e konsideruar tradhtar dhe madje edhe mercenar.

E gjithë kjo për një fakt të thjeshtë. Romelu Lukaku është duke pritur Juventusin.

Prej ditësh, Inter është duke negociuar me Chelsean për të blerë kartonin e belgut, e madje palët kanë gjetur edhe një akord për pagesën prej 35 milionë eurosh dhe pesë të tjera në formë bonusesh. Por, prej disa ditësh, vetë Lukaku dhe avokati i tij nuk po iu përgjigjen më telefonatave dhe kërkesave të Marottës e Ausilios.

Vetë lojtari nuk është zhdukur, por përkundrazi është aktiv edhe në rrjetet sociale si me pushimet ashtu edhe me përgatitjet dhe stërvitjet individuale që ka nisur.

Juventus i ofron belgut një pagë prej 12 milionë eurosh në sezon, por drejtori i sapo emëruar Giuntoli i ka kërkuar Lukakut dhe avokatit të tij një periudhë pritje prej dhjetë ditësh. Gjë të cilën, po e respektojnë duke lënë pa përgjigje dhe të zhgënjyer zikaltrit.

Lojtari që pati deklaruar se kurrë nuk do të pranojë një ofertë nga Milan apo Juve, duket se ka vepruar krejt kundër asaj që ka shprehur dhe mbetet për t’u parë se çfarë drejtimi do të marrë karriera e tij dhe cilën ofertë do të pranojë. Kjo për faktin se nga ana tjetër, edhe tifozët bardhezi kanë dalë kundër një lëvizjeje të tillë që Juventus të largojë Vlahovic për t’i bërë vend Lukakut. /oversport.tv