Interi nuk fal në shtëpi dhe bën autokritikë për barazimin e javës së shkuar kundër Sampdoria. Skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi ka triumfuar me rezultatin 6-1 kundër Bologna, që e kishte nisur mirë kampionatin deri më tani dhe nuk kishte pësuar asnjë humbje.
Me Interin ishte një mision i pamundur për të marrë pikë dhe kjo u tregua që në fillim. Lautaro Martinez e zhbllokoi ndeshjen që në minutën e 6-të, ndërsa Bologna më pas rrezikoi me Sansone dhe Soriano.
Pas gjysmë ore loje Milan Skriniar nuk fali pas një goditjeje këndi dhe me kokë e çoi topin drejt e në rrjetë. Vrulli i Interit nuk mund të ndalej aty, pasi Barella katër minut më pas shënoi edhe golin e tretë për kampionët në fuqi të Italisë.
3-0 për Interin në 45 minuta, ndërkohë që i vetmi lajm i keq ishte dëmtimi i Joaquin Correa. Pjesa e dytë më pas nisi me gol dhe këtë herë ishte Vecino ai që me një goditje të fortë mposhti portierin e Bologna.
Pak minuta më parë Lautaro Martinez ishte ndalur nga trau i portës. Interi nuk mund të ndalej te “pokeri”. Edin Dzeko shënoi edhe dy gola të tjerë, i dyti fantastik duke parë këndin nga boshnjaku e tentoi portën.
Në minutat e fundit Bologna shënoi golin e nderit me Theate. 6-1 dhe Interi merr tre pikë që e ngjitin për momentin në vendin e parë, në pritje të dueleve që kanë ende për të luajtur Roma, Napoli dhe Milani.
SERIE A – JAVA 4
Inter-Bologna 6-1
Shënues: Martinez 6’, Skriniar 30’, Barella 34’, Vecino 54’, Dzeko 63’, 68’ / Theate 86’
/ oversport.tv