Interi dhe Milani kërkojnë fitoren e parë, sytë nga supersfida Atletico-Liverpool

Do të luhen sot në mbrëmje tetë ndeshjet e javës së tretë të grupeve në Champions League. Spikat supersfida e grupit B midis Atletico Madrid-Liverpool. Kryesuesit e grupit, udhëtojnë në Wanda Metropolitano për të konfirmuar edhe njëherë veten si të parët e renditjes. Në ndeshjen tjetër në këtë grup, Milani është në kërkim të pikëve të para, ku e pret Porto në shtëpinë e vet.

Në kërkim të fitores së parë do të jenë edhe rivalët e qytetit, Interi. Pas një humbjeje dhe një barazimi, zikaltërit presin në shtëpi ekipin surprizë të momentit, Sheriff Tiraspol. Me dy fitore kundër Shakhtar dhe Real Madrid, moldavët vijnë të entuziazmuar në Milano, gati për surprizën e radhës.

Sakaq, po në të njëjtin grup, tre pikët i kërkon edhe Real Madrid i cili përballet me kundër Shakhtar Donetsk. Ekipi i Carlo Ancelottit është i detyruar të fitojë pas humbjes turpëruese nga Sheriff Tiraspol.

Në ndeshje të tjera spikatin edhe PSG-Leipzig dhe Manchester City-Club Brugge në grupin A. Parizienët janë në vendin e parë dhe presin në shtëpi gjermanët të cilët ende nuk kanë marrë pikët e para. Ndërkohë, po në të njëjtin grup, Manchester City pret në shtëpi modestët e Club Brugge. Ekipi i Guardiolës ndodhet në vendin e tretë në grup me tre pikë, një më pak se rivalët belg.

Në grupin C, Ajax dhe Dortmund do të përcaktojnë me njëri-tjetrin se kush do të dalë në krye të grupit. Të dyja ekipet janë me nga gjashtë pikë dhe ndeshja e sotme do të ndajë provizorisht kreun. Ndeshja tjetër e këtij grupi është Besiktas-Sporting me të dyja ekipet që janë ende në kërkim të pikëve të para këtë edicion. /oversport.tv