Interi bind me numrat, Dzeko me shokë bëjnë të harrohen Lukaku e Conte

Interi i Simone Inzaghit po arrin rezultate më të mira se skuadra e vitit të kaluar që drejtohej nga Antonio Conte dhe që në fund fitoi titullin kampion.

4 fitore dhe një barazim janë rezultatet e këtij sezoni, ndërsa 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje ishin shënuar një vit më parë. Skuadra aktuale duket më e konsoliduar, ka shënuar 18 gola dhe ka pësuar 5, ndërsa skuadra e Contes kishte shënuar 13 gola dhe kishte pësuar 8.

Numrat thonë se kampionët e Italisë, megjithëse kanë humbur lojtarë si Lukaku dhe Hakimi, pa harruar edhe teknikun Conte, nuk e kanë ndierë fare mungesën e tyre. Si ka ndodhur kjo? Falë forcës së grupit, pasi nuk është rastësi që deri më tani kanë shënuar 11 lojtarë të ndryshëm.

Skuadra zikaltër ka treguar se di të reagojë, pasi në dy raste ka përmbysur rezultatin e ndeshjes kur ishte në disavantazh (Verona dhe Firence) dhe kjo tregon force dhe personalitet.

Pastaj është edhe Edin Dzeko, me 4 golat e shënuar. Boshnjaku kishte detyrën e vështirë të zëvendësonte Lukakun dhe po e bën në perfeksion. Në tjetër mënyrë, por me të njëjtin rezultat.

Forca e grupit dhe Dzeko janë armët e forta të Interit të Inzaghit. Ndoshta nuk është skuadra më e fortë në Serie A, por është e sigurtë që do të jetë shumë e vështirë që të rrëzohet nga froni. /Oversport.tv