Interi i përgjigjet Milanit, Perisic dhe Lautaro ndëshkojnë Udinesen

Ashtu si Milani, edhe Interi nuk gabon dhe merr 3 pikët në transfertën e Udines. Zikaltërit fitojnë 2-1 përballë Udineses dhe mbajnë gjallë shpresat për titullin kampion, duke shpresuar në një hap fals të kushërinjve kuqezi.

Perisic dhe Lautaro shënojnë golat për skuadrën e Inzaghit, ndërsa goli i Pussetto në pjesën e dytë nuk ka pasur ndonjë vlerë për Udinesen. Zikaltërit harrojnë zhgënjimin e Bolognas dhe tashmë shpresojnë që Milani të gabojë në këto 3 javë të mbetura që të mund të fitojë titullin.

Milani ka fituar sfidën kundër Fiorentinës, prandaj Interi është i detyruar që të fitojë në “Dacia Arena” përballë Udineses, që të mbajë gjallë shpresat për titull. Vendasit bëjnë tentativën e parë në portë me Pereyra, por Handanovic nuk suprizohet.

Kalojnë pak minuta dhe ashtu si kundër Bolognas, Perisic kalon zikaltërit në avantazh me një gjuajtje me kokë pas një goditje këndi të ekzekutuar nga Dimarco.

Udinese kundërpërgjigjet menjëherë me Walace, por sërish Handanovic është në lartësinë e duhur dhe ruan portën e tij të paprekur. Interi i afrohet golit të dytë me Dimarco, por gjuajtja e tij devijohet në korne.

Ndeshja është e bukur, me ritëm dhe të dyja skuadrat kërkojnë të gjejnë rrugën e rrjetës. Perez ka një mundësi të mirë për të barazuar shifrat, por gjuajtja e tij përfundon jashtë. Dzeko pengohet në zonë nga Marì dhe pas ndërhyrjes së VAR, gjyqtari Chiffi akordon penallti për Interin.

Lautaro godet shtyllën dhe më pas dërgon topin në rrjetë, duke kaluar në avantazh të dyfishtë zikaltërit. Argjentinasi shënon golin e 21-të sezonal në të gjitha kompeticionet.

Interi nis mirë edhe pjesën e dytë dhe i afrohet golit të tretë me Dzeko, por boshnjaku nuk gjuan në kuadrat. Minuta të mira për Udinesen, që provon me Walace, Molina dhe Pereyra, por pa arritur të gjejë rrugën e rrjetës.

Interi administron lojën dhe mundohet të ulë ritmin. Handanovic pret perlën e Deulofeu nga një goditje standarte, por Pussetto e ka shumë te lehtë të çojë topin në rrjetë dhe rihap sfidën.

Zikaltërit nuk duan të bëjnë gabimet e së shkuarës dhe synojnë që të mbyllin këtë sfidë. Vidal shënon, por goli i tij anulohet për pozicion jashtë loje. Udinese kërkon golin e barazimit, ndërsa Interi zbret rrezikshëm në kundërsulm.

Mbyllet 1-2 në “Dacia Arena” dhe ziklatërit vazhdojnë të besojnë tek titulli, ndonëse e dinë që edhe nëse i fitojnë të gjitha sfidat e mbetura, mund të mos shpallen kampionë.