Interi kërkon me ngulm Thuramin, ja plani i Marottës për ta afruar në skuadër

Interi është hedhur në sulm për të forcuar repartin ofensiv dhe objektivi kryesor i zikaltërve është Marcus Thuram. Sulmuesit francez i skadon kontrata me Borussia Monchengladbach në fundin e sezonit dhe Beppe Marotta kërkon të përfitojë për ta sjellë në Milano.

Konkurrenca është e fortë pasi për 25-vjeçarin në garë është edhe gjiganti gjerman, Bayern Munich. Megjithatë, Marotta ka thurur një plan konkret për të mposhtur konkurrencën dhe ta afrojë Thuram që në merkaton e janarit.

Sipas asaj që raporton “Tuttosport”, zikaltrit do të sakrifikojnë Joaquin Correan i cili nuk ka arritur dot të tregojë vlerat e tij me fanellën e Interit. Sulmuesi argjentinas do të sistemohet në një tjetër ekip dhe shuma e përfituar do të shpenzohet për Thuram.

Sa i përket Correas, ky i fundit ka një peshë prej 18 milionë eurosh në bilancin e Interit. /oversport.tv

Foto: Équipe de France de Football, Facebook