Interi kërkon para, po negociohet me Rothschild për një kredi 400 milion euro

Pas tratativave me Goldman Sachs, Interi po kërkon likuiditete në institucione të tjera financiare për të zgjidhur problemet ekonomike dhe duket se klubi zikaltër po tenton të bindë Rothschild & Co, që ti japë kredi.

Sipas asaj që shkruan “Gazzetta dello Sport”, klubi zikaltër po punon për të marrë një hua të vetme prej 400 milion eurosh me afat pesëvjeçar. Operacioni ka kohë që ka nisur dhe do ti shërbente Interit që të mbushte arkat për muajt e ardhshëm, pasi mbylli bilancin e vitit 2020-2021 me një rekord negativ prej 245.6 milion eurosh. Synimi i zikaltërve është që të mbyllin bilancin e vitit të ardhshëm me një humbje prej 100 milion eurosh.

Bisedimet që po bëhen me Rothschild, nuk zëvendësojnë, por u shtohen atyre që kanë kohë që zhvillohen me Goldman Sachs, tratativa që priten të mbyllen brenda vitit, për dy hua që në total shkojnë 375 milion euro dhe skadojnë në dhjetor të vitit të ardhshëm.

Financimet e reja, së bashku me të ardhurat nga shitja e Lukakut dhe Hakimit, si dhe disa manovra të tjera ekonomike, do ti jepnin mundësi Interit që të mbyllte sezonin pa probleme ekonomike. / Oversport.tv