Interi luan tenis me Bolognan, fitojnë edhe Fiorenina dhe Torino

Interi nuk tregon mëshirë ndaj Bolognas në javën e 14-të të Serie A dhe jep përgjigjen e duhur pas disfatës në derbin e Italisë. Zikaltrit triumfojnë me rezultatin tenistik 6-1 në një sfidë që u dominua totalisht nga të besuarit e Simone Inzaghi.

Sfida nis keq për Interin pasi Bologna gjen golin e avantazhit me Lykogiannis. Mbrojtësi grek devijoi me fat në portë një goditje të Orsolinit duke e çuar rezultatin në 1-0. Megjithatë Interi nuk humbet torruan dhe kundërpërgjigjet menjëherë.

Baraspesha vendoset nga një supergol i Edin Dzekos i cili godet fluturimthi dhe mposht portierin Skorupski. Ky i fundit ndëshkohet sërish pak minuta më vonë nga Federico Dimarco që realizon nga një goditje dënimi.

Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 3-1 sepse në minutën e 42-të është Lautaro Martinez që pas një goditje nga këndi devijon me kokë topin në rrjetë. Në pjesën e dytë, Interi e nis aty ku e la dhe realizon golin e katërt me Federico Dimarcon. Mbrojtësi i majt realizon edhe një dygolësh personal në këtë takim.

Goli i pestë vjen nga këmbët e Calhanoglu që shënon me një 11-metërsh, ndërsa rezultati final i takimit u vulos nga Robin Gosens që gjen rrugën e rrjetës për herë të parë me Interin në Serie A. Me këtë fitore Interi ngjitet në kuotën e 27-pikëve dhe nuk humbet terren me kreun.

Fitore ka arritur edhe Torino përballë Sampdorias me rezultatin 2-0. Për të besuarit e Juric mjaftuan golat e Radonjic dhe Vlasic që i dhanë pikët e plota torinezëve në këtë takim. Me këtë fitore Torino ngjitet në kuotën e 20 pikëve, ndërsa Sampdoria pas 14 javësh ka vetëm 6 pikë.

Fiorentina tregon se e ka hedhur pas krahëve startin e dobët të sezonit dhe mposht Salernitanën me rezultatin 2-1. Djemtë e Italianos kaluan të parët në avantazh falë golit të Bonaventurës, por Salernitana arriti të barazonte provizorisht me Dia. Goli i Luka Jovic megjithatë i dha fitoren Fiorentinës që ngjitet kështu në kuotën e 19 pikëve. /oversport.tv

Foto: Inter, Twitter