Pas katër fitoreve dhe një barazimi të arritura në 5 javët e para të kampionatit, Interi e sheh veten me 2 pikë më pak se kryesuesit e Napolit, të vetmit me pikë të plota këtë sezon.
Projektohet një luftë interesante për titullin kampion, por Hakan Calhanoglu sheh akoma skuadrën zikaltër si favorite: “Nisja jonë është një nisje normale për Interin. I njihja vlerat e shokëve të rinj të skuadrës dhe të trajnerit Inzaghi.
Shumë skuadra mund të pretendojnë titullin dhe të luftojnë për të deri në javën e fundit. Roma dhe Napoli kanë nisur shumë mirë sezonin, Atalanta gjithashtu. Por ne mbetemi favoritë pas suksesit të vitit të kaluar”.
Transferimi nga Milani tek Interi në verë, e bëri protagonist të një lëvizje të bujshme: “Te Milani kalova 4 vite të mira dhe atje kam shumë miq. Ka pasur edhe momente të vështira, por dy sezonet e fundit kanë qënë më të mira, krahasuar me dy të parat, kjo falë Piolit.
Interi është një skuadër e bukur që ka fituar titullin e fundit dhe më shumë ndeshje derbi gjatë eksperiencës sime si kuqezi. Erdha këtu, sepse më pëlqejnë sfidat.
I njoh aftësitë e mia dhe nuk mendova kurrë se do të ngelesha pa skuadër. Nëse shënoj kundër Milanit? Do të festoj si gjithmonë”-ka thënë mesfushori turk, në një intervistë për “Corriere dello Sport”.
Gjatë verës Interi pësoi shumë ndryshime, duke nisur që nga trajneri: “Para se të firmosja me Interin kam folur në telefon me Inzaghin dhe me sa kuptoja më donte në skuadër.
Do gjithmonë të fitojë, por e kisha kuptuar që kur luaja kundër skuadrave të tij. Kemi një marrëdhënie të mirë, më pëlqen si punon dhe motivimi që të jep”-ka përfunduar mesfushori zikaltër. /Oversport.tv