Interi në ankth për Dzekon, sulmuesi do të bëjë një tjetër kontroll mjekësor

Lajmet nga Coverciano në lidhje me gjendjen e Barellas dhe Bastonit e kanë ngrohur teknikun Simone Inzaghi, por në kampin e Interi janë në ankth për gjendjen e Dzekos.

Sulmuesi boshnjak, që doli i dëmtuar në derbin kundër Milanit, për shkak të një shqetësimi muskulor, do të qëndrojë në grumbullimin e kombëtares boshnjake, por në orët në vazhdim  do ti nënshtrohet kontrolleve të tjera mjekësore.

Stafi i skuadrës zikaltër është në kontakt të vazhdueshëm me stafin e kombëtares boshnjake për të mësuar çdo detaj mbi gjendjen e sulmuesit.

Për momentin nuk ka një tërheqje muskulore, por ndeshjet që Bosnja do të luajë brenda pak ditësh për kualifikueset e Kupës së Botës, nuk e lënë të qetë teknikun Inzaghi.

Të shtunën boshnjakët do të luajnë kundër Finlandës, ndërsa të martën kundër Ukrainës dhe ballkanasit nuk mund të bëjnë pa sulmuesin e tyre kryesor në këto sfida vendimtare.

Interi shpreson që tekniku i Bosnjës, Ivaylo Petev ta lërë pushim Dzekon në të paktën një sfidë, që të mund të rikuperojë shqetësimin që ndjen.

Menjëherë pas ndeshjeve të kombëtareve, Interi do të luajë dy sfida shumë të rëndësishme: kundër Napolit dhe kundër Shakhtarit në Champions League. Sfida në të cilat prezenca e Dzekos do të bënte diferencën. /Oversport.tv