“Euroderbi” i parë në gjysmëfinale të Champions League mban ngjyrat zkaltër. Interi ka arritur të mposhtë Milanin në aktin e parë me shifrat 2-0 në një takim që u vendos që në pjesën e parë.
Zikaltrit e nisën menjëherë takimin në mënyrë fantastike duke heshtur “San Siron” me anë të një goli nga ana e Edin Dzekos. Pas vetëm tre minutash nga goli i parë, zikaltrit nuk u ndalën dhe arritën të shënonin golin e dytë.
Për dyfishimin e shifrave mendoi armeni, Henrikh Mkhitaryan. Interi u gjend sërish në zonën e Milanit të përgjumur duke goditur dhe njëherë shtyllën me anë të Hakan Calhanoglu. Pjesa e parë u mbyll në avantazh të zikaltërve me shifrat 2-0.
Në pjesën e dytë, Milan ii shtoi forcat përpara në mënyrë që të gjente të paktën një gol. Fillimisht Junior Messias u afrua me rrjetën e Interit, por goditja e tij përfundoi jashtë. Më pas Tonali u shfaq i rrezikshëm duke drithëruar portën e miqve me anë të një shtylle.
Megjithatë, nuk ndryshoi asgjë për sa i përket rezultatit të pjesës së parë dhe Interi arriti të mposhtë Milanin në përballjen e fazës së parë të gjysmëfinaleve të Champions. Sfida e kthimit do të luhet sërish në të njëjtin stadium pas 6 ditësh. /oversport.tv