Interi pa busull, Roma fiton me përmbysje në “Giuseppe Meazza”

Interi zhgënjen sërish dhe pëson humbjen e dytë radhazi në Serie A, pasi është mposhtur në supersfidën e javës së tetë nga Roma. Zikaltrit humbën në “Giuseppe Meazza” me rezultatin 2-1, pas përmbysjes së madhe që ekipi i Mourinhos arriti.

Ndeshja nis mirë për zikaltrit që fillojnë të rrezikojnë që në minutat e para. Shkëndija e parë vjen nga Lautaro Martinez me një goditje me kokë, ndërsa më pas është Dzeko që realizon, por goli i tij anulohet për një pozicion jashtë loje.

Goli i parë i takimit vjen në minutën e 30, kur Federico Dimarco arrin të mposht portierin Rui Patricio dhe i çon shifrat në 1-0. Duket gjithçka më e lehtë për zikaltrit që kontrollojnë lojën në shumicën e kohës.

Megjithatë, avantazhi zgjat vetëm 9 minuta. I shumkërkuari në merkato nga zikaltrit, Paulo Dybala realizon golin e baraspeshës duke i çuar ekipet në dhomat e zhveshjes me rezultatin 1-1.

Në pjesën e dytë, Interi provon sërish të kalojë në epërsi. Zikaltrit rrezikojnë portën e Rui Patricios, si dhe godasin një herë transversën me Calhanoglu. Provon edhe Kristjan Asllani që i shkon shumë pranë një supergoli, por goditja e tij shkon ngjitur me shtyllën.

Në momentin më të mirë të Interit megjithatë, është Roma që gjen golin e avantazhit me anë të Chris Smalling. Ky i fundit kërcen lart në zonë dhe gjen rrjetën me një goditje të bukur me kokë.

Interi provon të ndryshojë diçka, por pa sukses. Në fund është Roma që del triumfuese në këtë takim dhe merr pikët e plota në “Giuseppe Meazza”. Pas këtij takimi, Interi qëndron në kuotën e 10 pikëve, ndërsa Roma pas tetë javësh ka grumbulluar 16 pikë. /oversport.tv

Foto: AS Roma, Twitter