Interi përmirësoi ofertën, Chelsea i kthen përgjigje për Romelu Lukakun

25 milionë euro nuk mjaftuan, por mesa duket as 30. Interi dhe Chelsea ende nuk po e gjejnë gjuhën e përbashkët për të rikthyer në Milano sulmuesin belg Romelu Lukaku. Mediat italiane raportuan orët e fundit se zikaltrit përmirësuan ofertën e tyre, por sërish nuk i ka bindur “Blutë e Londrës”.

“Një ofertë që nuk është në nivelin që duam”, është argumenti i refuzimit të ofertës nga Chelsea. Londinezët kërkojnë të paktën 40 milionë euro për të lënë të lirë sulmuesin që ka shkëlqyer me fanellën e Interit, një shifër kjo që Marotta kërkon ta ulë.

Lukaku i ka bërë me dije drejtuesve të Chelseat që kërkon të transferohet vetëm tek Interi, duke refuzuar oferta faraonike nga Arabia Saudite. Në ditët në vijim pritet të ketë kontakte të reja mes palëve, me Interin që është i vendosur të afrojë sulmuesin 29-vjeçar. /oversport.tv

Foto: Inter, Facebook