Inzaghi: Correa bën diferencën, Barella është një vlerë e shtuar për Interin

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi është ndalur përpara mediave pas sfidës së fituar në shtëpi 2-0 kundër Udineses. Ai u ndal te loja e zikaltërve, dygolëshi i Correa, si dhe te mesfushori italian, Nicolo Barella.

“Në pjesën e parë ne duhet ta kishim lëvizur më shpejtë topin, edhe pse e dinim se nuk do të ishte e lehtë kundër një ekipi që e mbante mbrojtjen shumë ulët. Kemi pasur shumë mundësi të rëndësishme. Në pjesën e dytë bëmë më mirë, nuk e humbëm durimin dhe gjetëm hapësirat e duhura”.

ZËVENDËSIMET- “Zëvendësimet në ndeshje bëhen më të rëndësishme se skuadra që del në fushë që në fillim. Kam një grup të madh dhe falë kësaj arrij të bëj shumë rotacione në ekip. Të luash kaq shumë sa po luajmë ne, është e vështirë të rikuperosh energjitë fizike dhe mendore”.

CORREA SHËNON DYGOLËSH- “Më paralajmëruan për këtë statistikë. Kur ai është fizikisht mirë mund të bëjë diferencën, në sulm ata janë të gjithë të mirë. Unë do të vendos herë pas here kush do të luaj”.

NICOLO BARELLA- “Unë mund të flas vetëm për Barellan. Ai ka cilësi dhe sasi dhe po vazhdon të rritet në vitet e fundit. Nicolo është kampion i Italisë dhe Europës, duhet të vazhdojë kështu. Është një vlerë e shtuar për ne”. /oversport.tv