Inzaghi: Duam të fitojmë përballjen e parë direkte këtë sezon, motivimi do të bëjë diferencën

Atalanta-Inter do të jetë një prej supersfidave të javës së 15-të të Serie A ku në Bergamo do të zhvillohet një derbi zikaltër. Në prag të kësaj sfide ka dhënë konferencën për shtyp trajneri Simone Inzaghi i cili ka dhënë përshtypjet e tij për këtë duel.

“Do të jetë një sfidë e vështirë sepse e dimë që në Bergamo është një fushë e vështirë. Diferenca do të bëhet nga motivimi që të dyja skuadrat do të kenë në fushën e lojës. Si ne ashtu edhe Atalanta kemi pasur tre ditë për të përgatitur këtë sfidë.”

Interi nuk ka arritur të fitojë ende asnjë sfidë direkte përballë rivalëve të saj në Serie A dhe Inzaghi ka pranuar se zikaltërve i ka munguar diçka në këtë kampionat. “Në kampionat na ka munguar diçka. Është e qartë se duhet të punojmë më shumë për episode dhe detaje të caktuara. Shpresojmë që nesër të vijë fitorja e parë përballë një rivali direkt. Në Champions ia kemi dalë t’i limitojmë problemet në përballjet e rëndësishme, psh kundër Barcelonës.”

Në këtë përballje Atalanta vjen pas dy humbjeve radhazi, por kjo gjë nuk tregon asgjë për Simone Inzaghin. “Pavarësisht rezultateve, Atalanta është gjithmonë një skuadër e mirëorganizuar, me ide të qarta loje. Do të kemi përballë një skuadër me vendosmëri të madhe dhe për këtë arsye ne duhet të japim më të mirën tonë.

Në fund Inzaghi ka një koment edhe për grumbullimin e Romelu Lukakut nga Belgjika për Kupën e Botës. “Fillimisht unë jam shumë i lumtur që tre nga katër sulmuesit tanë do të shkojnë në Kupën e Botës. Kemi shumë besim te të gjithë. Lukaku ka punuar shumë për t’u rikthyer në sfidat tona të fundit dhe arriti të luante disa minuta, por është dëmtuar sërish.

Tani po rikuperohet gradualisht. I uroj të gjithë lojtarëve të grumbulluar të zhvillojnë një Botëror të madh e më pas të rikthehen te ne në gjendjen më të mirë të mundshme.” /oversport.tv