Inzaghi: Duhet të japim 120% për të ngritur trofeun e dytë të sezonit

Simone Inzaghi është i qartë se Interi duhet të fitojë në finalen e Kupës së Italisë. Këtë gjë e ka konfirmuar gjatë konferencës për shtyp në prag të finales, ndërsa ka dhënë edhe verdiktin e tij mbi pritshmëritë që ka për ndeshjen.

“Është një krenari e madhe, është një finale që do të transmetohet në të gjithë botën. Për mua në finale nuk ka receta të sakta për të fituar, ato duhen luajtur me agresivitet dhe vendosmëri, duke e ditur që kemi një kundërshtar shumë të fortë dhe cilësor përpara. Do të duhet të japim 120% për të ngritur trofeun e dytë të sezonit”.

RËNDËSIA- “Kjo javë është e rëndësishme për të gjithë. E dimë atë që kemi bërë me stafin në këtë rrugëtim, që kur ka filluar puna deri tani në rrugëtimin tonë, jemi treguar të mirë dhe kemi bërë mirë, falë edhe skuadrës, djemve që më kanë ndjekur përgjatë gjithë vitit.

Pas gjërave që kanë ndodhur edhe pritshmëritë për ne janë rritur dhe janë të mirëpritura. Ne fituam trofeun e parë në janar, por në futboll duhet të shohësh gjithmonë nga e ardhmja që është nesër. Kjo finale është e rëndësishme, më pas do të mendojmë për dy ndeshjet e radhës ku luajmë për titullin kampion.

Mendoj se është bërë një punë e madhe, duke marrë parasysh që jemi ende duke luftuar pasi kanë mbetur edhe 15 ditë nga fundi i kampionatit. Në 8 korrik nuk e prisja këtë gjë”.

ÇFARË DUHET PËR FINALEN- “Është një finale, detajet do të bëjnë diferencën. Ne e njohim njëri-tjetrin, e dimë që nga të dyja palët do të ketë shumë cilësi dhe do të duhet të menaxhojmë detajet”.

BILANCI I SEZONIT- “Le të themi se numrat më bëjnë të lumtur, por ia kam borxh ekipit. Më kanë ndjekur gjithmonë mua dhe stafin në të gjitha aspektet. Sezoni për mendimin tim ka qenë i mrekullueshëm, nesër do të jetë ndeshja e 50 dhe ne kemi luajtur një futboll të bukur për 7-8 muaj, pastaj patëm një rënie që e paguam me shtatë pikë në shtatë ndeshje”.

MENDJA TE TITULLI KAMPION? “E kam thënë edhe më parë, folëm sot në mëngjes me skuadrën. Duhet të jemi të mirë për të lënë mënjanë ndeshjen e kampionatit. Nuk është e lehtë dhe ne do të donim që këtë ndeshje ta luanim pas dy javësh, por ishte vendosur më parë dhe nuk kemi asnjë problem. Kemi këtë ndeshje dhe më pas dy finale të tjera. Unë kam luajtur shumë si futbollist ashtu edhe si trajner dhe gjithmonë jam përshtatur”.

QASJA- “Ne jemi ndeshur me Juventusin tre herë këtë vit, më e fundit më 4 prill. Kanë qenë tre ndeshje të ndryshme nga njëra-tjetra , secila me historinë dhe taktikat e veta. Nesër do të jetë një ndeshje e hapur, me shumë cilësi në fushë nga të dyja skuadrat. Do të jetë e nevojshme të jemi të mirë për të interpretuar në mënyrën e duhur ndeshjen dhe të bëjmë sa më pak gabime”.

ËSHTË RIKUPERUAR BASTONI? “Jo, vetëm nesër do ta zbulojmë. I kam të gjithë në dispozicion përveç Vecinos që ka pësuar një problem dje gjatë stërvitjes. Ai “shtrëngoi dhëmbët”, por duhet të pushojë. Bastoni dje dhe sot ka bërë stërvitjet e para me grupin, është rikuperuar, por duhet ta vlerësojmë”. /oversport.tv