Inzaghi: Fitore e merituar, tashmë kualifikimi është në dorën tonë

Simone Inzaghi është i kënaqur me fitoren e arritur në transfertë përballë Sheriffit: “Meritonim më shumë në pjesën e parë, por skuadra qëndroi e qetë dhe e përqendruar dhe bëri atë që duhej të bënte. Në pjesën e dytë e merituam fitoren”, ka thënë tekniku zikaltër.

“Kemi arritur dy fitore të rëndësishme përballë Sheriffit. Janë dukur ndeshje të lehta, por kemi qenë ne që i kemi bërë të duken kështu. Falë këtyre sukseseve kemi kuptuar forcën tonë dhe duhet të vazhdojmë kështu. Tani kualifikimi në turin tjetër të turneut është në dorën tonë”, ka shtuar trajneri i Interit.

“Nëntë shënues të ndryshëm në ndeshjet e fundit? Më bëhet qejfi, në këto 5 ndeshjet e fundit kemi ndryshuar shpesh formacionin dhe kemi arritur 4 fitore dhe një barazim. Ky është një sinjal i bukur, sepse nuk ka rëndësi se kush luan. Edhe pse lojtarët ndryshojnë rezultati nuk ndryshon dhe fakti që kanë shënuar shumë lojtarë më bën shumë të lumtur”, ka sqaruar Inzaghi.

Në fund edhe një batutë për derbin kundër Milanit që do të luhet të dielën: “Duhet të rikuperojmë forcat fizike dhe mendore. E dimë se çfarë do të thotë derbi për klubin dhe tifozët tanë. Kemi tre ditë për t’u përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. E dimë se çfarë ndeshje na pret”, ka përfunduar trajneri i Interit, Simone Inzaghi. /Oversport.tv