Inzaghi: Interi s’e nxjerr më topin jashtë, Juvja vlen më shumë se 3 pikë

Askush nuk guxon të thotë është një ndeshje vendimtare. E përjashtoi Max Allegri, të njëjtën gjë bën edhe Simone Inzaghi, i cili pranon se Inter-Juventus është “një sfidë që vlen më shumë se tre pikët në lojë” dhe skuadra që do të humbasë, do ta ketë shumë të vështirë që të ringrihet.

Tekniku zikaltër është i vetëdijshëm për atë që luhet nesër në mbrëmje në “San Siro” dhe do që të nderojë titullin kampion, që qëndron i qepur në fanellat e skuadrës së tij:

“Më bëhet qejfi që Allegri na konsideron akoma skuadrën më të fortë, por unë mund të them të njëjtën gjë për ta, për Milanin, për Napolin apo skuadra të tjera”, ka thënë Inzaghi.

“Kampionati sapo ka filluar. Me siguri do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme mes dy skuadrave të forta dhe kompetitive. Ne luajmë në shtëpi përpara tifozëve tanë dhe skuadra e di mirë se çfarë përfaqëson kjo sfidë.

Duhet të japim maksimumin, kjo është pak por e sigurtë. Juventusi është një rival historik dhe ne e dimë vlerën e kësaj sfide. Kjo ndeshje vlen më shumë se tre pikët në lojë. Duhet të bëjmë ndeshjen tonë, të mundohemi të shprehim lojën tonë dhe të jemi sa më të ekuilibruar.

Juventusi i ka rikuperuar të gjithë lojtarët dhe vjen pas disa rezultateve të mira. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, thotë tekniku zikaltër për këtë sfidë.

“Po mundohem të rikuperoj të gjithë lojtarët, kam fatin që kam në dispozicion të gjithë futbollistët. Calhanoglu dhe Sensi janë paraqitur shumë mirë dhe aktualisht i vetmi që mungon është Correa.

Shpresoj ta kem në dispozicion për ndeshjen kundër Empolit”, ka thënë Inzaghi, duke iu gëzuar faktit që nuk ka probleme me mungesat.

Tekniku ka folur edhe për ndeshjen kundër Lazios dhe për vendimin që kanë marrë së bashku me lojtarët: “Pas ndeshjes në Romë kemi folur me djemtë dhe kemi vendosur, që tani e tutje nëse një kundërshtar është shtrirë në tokë ne do të vazhdojmë të luajmë dhe se vetëm arbitri mund të ndalë lojën”. / Oversport.tv