Inzaghi: Kalendar i ngjeshur, por mendojmë vetëm për Atalantën

Pas fitores me përmbysje kundër Fiorentinës, Interi do të përballet me një tjetër skuadër të fortë siç është Atalanta. Tekniku i zikaltërve, Simone Inzaghi ka folur në një konferencë për shtyp në prag të kësaj sfide:

“Atalanta është një skuadër shumë e mirë. Nuk dhuron dhe nuk gabon asgjë. Të njëjtën një duhet të bëjmë edhe ne. Uria dhe dëshira për fitore bëjnë diferencën në ndeshje si kjo”.

Përsa i përket formacionit që do të luajë kundër Atalantës, Inzaghi nuk jep detaje: “Do të shoh si është gjendja e përgjithshme e skuadrës dhe pastaj do të vendos me qetësi formacionin. Jam i kënaqur me rendimentin e skuadrës.

Kam lojtarë shumë të mirë, që janë në çdo moment të gatshëm për skuadrën. Me 5 zëvendësimet që mund të kryejmë tani, titullarët janë gjithmonë e më pak. Kam nevojë për të gjithë lojtarët dhe të gjithë po më japin sinjale shumë të mira”-ka thënë tekniku zikaltër.

“Nuk po mendojmë për Ligën e Kampioneve, jemi të fokusuar tek ndeshja kundër Atalantës. Kalendari është shumë i ngjeshur dhe është e vështirë të bësh plane afatgjata. Duhet të marrim ndeshjet me radhë dhe sfida e radhës është ajo kundër Atalantës”-ka përfunduar Simone Inzaghi. /Oversport.tv