Inzaghi: Lojtarët tanë janë fitues, nuk ka ngërç në Europë

Në prag të sfidës së Champions League që do të luhet të martën midis Interit dhe Sheriff Tiraspol, ka folur trajneri i Interit, Simone Inzaghi. Ai u ndal te rëndësia e këtij takimi, filozofia e lojës zikaltër dhe problemi i golave që ekipi italian ka në Europë.

Sheriff Tiraspol- “Ata nuk fituan dy ndeshje rastësisht. Ne u përballëm me Realin dhe Shakhtarin dhe e dimë se janë dy skuadra të shkëlqyera, kështu që Sherifi do të vijë me entuziazëm. Ata janë një ekip i organizuar, i cili mbrohet mjaft mirë. Do të jetë e nevojshme të jemi të mirë në sulm, por pa humbur distancën dhe masat. Është një ndeshje themelore për udhëtimin tonë në Ligën e Kampionëve “.

Shanset e humbura në Champions League- “A jemi ne ekipi që krijon më shumë në Evropë? E dija, skuadrat e mia kanë qenë gjithmonë të tilla. Në ligë ne shënuam shumë gola, për fat të keq vuajtëm më shumë nga sa pritej. Ata kanë një mentalitet fituesi. Ne do të duhet të jemi të mirë në lojën tonë, duke e ditur se për fat të keq, nuk kemi arritur ende të shënojmë në Evropë”.

Ngërçi psikologjik në Europë- “Nuk ka asnjë ngërç. Me Realin ishte rastësi, gjuajtëm 18 herë, por nuk shënum dot asnjë gol. Me Bolonjën gjuajtëm 19 herë dhe shënuam 6. Nuk mendoj se bëhet fjalë për ngërç. Sigurisht që kanë qenë dy ndeshje radhazi në të cilat ne nuk kemi shënuar dhe dy ndeshje janë shumë. Nesër e dimë se kemi një shans të madh, kundër një ekipi që ende po dominon grupin”.

Ndeshja ndaj Lazios- “Unë bëra një analizë të shpejtë, pastaj e pashë përsëri dhe jam edhe më i bindur për atë që thashë. Ne bëmë 65 minuta në një mënyrë të shkëlqyeshme.

Ndeshja ndaj Sheriffit- “Do të duhen agresivitet dhe vendosmëri. Ne luajmë kundër një ekipi entuziast që kreyeson grupin. Nuk do të jetë e lehtë, por do të jetë themelore. Ne duam ta ndryshojmë këtë prirje në Europë. Me inteligjencë dhe qartësi duhet të arrijmë fitoren “.

Filozofia e lojës- “Golat janë diçka për të cilën po punojmë, por për mendimin tim ne gjithashtu mund të kishim shënuar më shumë, edhe pse jemi sulmi më i mirë në Serie A. Nuk bëhet fjalë për lartësinë e skuadrës, por për përmirësimin e të gjithëve së bashku. Unë jam i vetëdijshëm për këtë dhe përpiqem ta bëj atë ditë pas dite”. /oversport.tv