Inzaghi: Mposhtëm mbrojtjen më të mirë në Europë, gjithçka është në dorën tonë

Në prag të sfidës kundër Shakhtarit që do të luhet të mërkurën, trajneri i Interit, Simone Inzaghi ka dhënë konferencën e tij për shtyp. Ai komentoi mbi vështirësinë e kësaj ndeshjeje, gjendjen fizike të lojtarëve të tij si dhe për atë çfarë ai pret nga ekipi.

NDESHJA- “Të dielën mundëm Napolin me mbrojtjen më të mirë në Europë. Dëshmi e madhe pjekurie dhe karakteri. Për nesër e dimë që gjithçka është në dorën tonë pas dy fitoreve me Sherifin, jemi aty. Kemi përballë një kundërshtar që luan mirë. me një trajner të shkëlqyer. Në ndeshjen e parë na vunë në vështirësi, të dy mund ta fitonim ndeshjen. Ata dribluan më shumë, ne numëruam më shumë raste shënimi”.

DËMTIMET- “Duhet të rikuperohemi, të dielën Barella dhe Correa kërkuan të zëvendësoheshin. Calha ishte i vetmi karton i verdhë dhe unë preferova ta heq. Duke ditur që Dzeko nuk është në formën më të mirë dhe Satriano nuk është i disponueshëm, do të më duhet të bëj vlerësime të sakta”.

SULMI- “Jam me fat që kam lojtarë ofensivë që prej disa kohësh luajnë në nivele të larta. Kemi takuar lloj-lloj kundërshtarësh dhe në çdo rast kemi bërë mirë. Ne e njohim Shakhtarin, e njohim edhe më mirë De Zerbin i cili në një kohë e shkurtër kaloi në skuadër konceptin e futbollit të tij”

Ai u pyet edhe për faktin nëse Interi aktual është më shumë Interi i Inzaghit apo ai i Contes: “Ka një proces rritjeje dhe jemi në rrugën e duhur, por puna është ende e gjatë. Secili trajner ka idenë e tij, kam gjetur një ambient të shkëlqyer që më ka mirëpritur që nga dita e parë. Kanë kaluar katër muaj, ne kemi bërë një rrugë të shkëlqyer dhe besoj se fitorja ndaj Napolit mund të na japë një stimul të rëndësishëm”.

SENSI- “Më mungojnë de Vrij dhe Sanchez të cilët shpresoj të rikuperohen shpejt, për pjesën tjetër kam shenja të shkëlqyera. Më duhet të bëj disa zgjedhje, të gjithë kanë luajtur pak. Stefano punon mirë dhe do të ketë hapësirë ​​nga tani deri në Krishtlindje”. /oversport.tv