Inzaghi për Oversport: Fiorentina ka trajner të mirë, na pret ndeshje intensive

Interi ka nesër një ndeshje delikate kundër Fiorentinës, që zhvillohet për orës 18:00. Ky duel do të transmetohet si zakonisht në Oversport për Shqipërinë dhe Kosovën, ndërkohë që para tij ka folur edhe trajneri Simone Inzaghi.

Për Oversport dhe transmetuesit e tjerë të Serie A, tekniku ka folur për duelin ndaj Fiorentinës, situatën në skuadrën e tij dhe rëndësinë që ka fitorja e nesërme ndaj ekipit të drejtuar nga Vincenzo Italiano.

Ky është një nga momentet më të vështira të sezonit, por nga imazhet që pamë nga Apiano morali duket i lartë. A është i karikuar grupi për rrugëtimin final?

Po. Patjetër. E dimë që në këtë periudhë kemi luajtur dhe kemi shpenzuar shumë energji si fizike ashtu edhe psikologjike, por këtë javë kemi punuar shumë mirë duke e ditur që kemi një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj një kundërshtari të fortë.

Pushimi për kombëtaren është një moment i rëndësishëm për të rikuperuar energjitë. Sa e rëndësishme është që ta mbyllni me një fitore?

Sigurisht që kjo është ajo që ne duam të bëjmë. Fitoret të ndihmojnë shumë, pastaj do të vijë pushimi. Do të kemi disa futbollistë nëpër kombëtare, por mund të jemi të qetë për të punuar nëse do të shkojmë me 1 fitore.

Nga faza e parë në këtë ndeshje duket se Fiorentina ka ndryshuar shumë. Çfarë ndeshjeje ju pret?

Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe intensive, në të cilën do të ketë duele dhe duhet të jemi gati sepse kundërshtari ka shumë vlera dhe lojtarë cilësorë. Trajneri gjithashtu është shumë i përgatitur. / oversport.tv