“Inzaghi qëndron te Interi”, Marotta: Onana nuk është në merkato

Një ditë pas ndeshjes së parë gjysmëfinale të Champions League, përveç fitores 2-0 ndaj Milanit për drejtorin ekzekutiv të Interit, Beppe Marotta, ka edhe një arsye tjetër për t’u gëzuar. Ditën e sotme, drejtuesit zikaltër iu dha diploma e “Cavaliere” me iniciativën e Presidentit të Republikës së Italisë, një titull që nderon punën e Marottës.

“Jam shumë i kënaqur me këtë vlerësim dhe përfaqëson kulmin e karrierës sime më shumë se 40-vjeçare. Jam shumë krenar që e marr si titull dhe shfrytëzoj rastin të falenderoj të gjithë njerëzit që kanë qenë pranë dhe kanë punuar me mua gjatë gjithë këtyre viteve”, shprehet fillimisht Marotta që më pas flet për Euroderbin e parë gjysmëfinal të fituar nga Interi dhe të ardhmen e Inzaghit.

Inzaghi e kishte përgatitur shumë mirë ndeshjen dhe merita është edhe e tij. Ne ndihemi të lumtur, por jo euforikë, sepse kemi fituar vetëm sfidën e parë dhe nuk jemi kualifikuar ende. Paraqitja ishte pozitive, dhe na jep një dorë për sfidën e kthimit, që duhet ta përballojmë me respekt maksimal për kundërshtarin.

Konfirmimi i Inzaghit në stol për sezonin e ardhshëm? Unë mendoj që po. Vlerësimi nuk bëhet vetëm nga një episod ose një ndeshje, por nga mënyra si punohet dhe profesionaliteti. Ka pasur një nyje të vogël sivjet, por jo vetëm për Interin, që nuk ka qenë protagonistë në kampionat, ku Napoli ka bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm. Ne kemi qenë thjesht spektatorë, pjesa tjetër e sezonit ka qenë pozitive.”

Në fund Marotta ka edhe një koment për merkaton dhe më konkretisht për Onanën që kohët e fundit është përfolur për një transferim te Chelsea për 40 milionë euro. Megjithatë, numri 1 i merkatos zikaltër vendos veton e tij se portieri kamerunas nuk është në merkato.

“Ne nuk kemi marrë asnjë ofertë për Onanën dhe ai dëshiron të qëndrojë këtu. Gjithashtu edhe ne nuk duam që ta bëjmë pjesë të merkatos”, përfundon Marotta. /oversport.tv

Foto: inter.it