Inzaghi: Titulli kampion dimri duhet të na stimulojë, Covid ka sjellë pasiguri

Serie A do të startojë nesër për vitin 2022 dhe Bologna-Inter do të jetë ndeshja e parë për këtë vit. Për të komentuar këtë takim ka dalë në konferencë për shtyp edhe trajneri i Interit, Simone Inzaghi. Ai komentoi gjendjen e ekipit, situatën me Covid, si dhe komentoi edhe fjalët e fundit të Romelu Lukaku.

NDESHJA E NESËRME-  “Një sfidë e komplikuar, ne përballemi me një ekip që fitoi me meritë ndaj Sassuolo në ndeshjen e fundit të vitit në një fushë që nuk ishte aspak e thjeshtë. Ne e dimë vlerën e kundërshtarit, e njoh shumë mirë trajnerin. Janë të përgatitur, të organizuar. Është një ndeshje e rëndësishme”.

COVID-19- “Ka një klimë pasigurie që nuk është e mirë për futbollin. Ne kemi 3 pozitivë, Bologna ka 8. Pastaj janë autoritetet që vendosin, edhe Mihajlovic edhe unë e dimë që deri në fillim e takimit duhet të jemi gati për çdo gjë”.

EUFORIA- “Mendoj se duhet të jetë një stimul fitimi i titullit në dimër, edhe nëse nuk vlen, por ne jemi të kënaqur që jemi në krye. Vlerësimi dhe gjykimet duhet të jenë një stimul, duke ditur që kundërshtarët do të bëjnë gjithçka për të na vënë në vështirësi”.

FJALËT E LUKAKU- “Nuk dua të flas për këtë, nuk është diçka e kompetencës sime. Mund të them vetëm se Lukaku është një lojtar i madh që ka pasur dy vite të jashtëzakonshme këtu te Interi. Ai kaloi 10 ditë me mua duke punuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Tani ai luan në një ekip tjetër dhe shpresoj të jetë shumë i dobishëm. Jam i sigurt për këtë, sepse ai është një top lojtar që ndryshon ekuilibrat e një ekipi.”

PRITSHMËRITË- “Dëshira ime është të gjej skuadrën siç e lashë në prag të Krishtlindjeve. Ne vijmë nga një seri e shkëlqyer dhe jemi të vetëdijshëm se do të përballemi me një ekip të fortë. Pas dy-tre seancave të para djemtë punuan në mënyrën më të mirë”.

ÇMIMI TRAJNERI I MUAJIT- “Është diçka e bukur, kjo do të thotë që unë dhe stafi im po punojmë mirë. Mendoj se qëllimet më të mira janë ato kolektive, pra ngritja e disa trofeve, të cilat i kam arritur në të kaluarën dhe që dua të ndodh edhe këtu”.

RINOVIMI I BROZOVIC- “E kam përsëritur tashmë këtë, për mendimin tim ai është shumë i lumtur dhe është një lojtar shumë i rëndësishëm. Mendoj se do të rinovojë, atëherë mund të pyesni Marotta dhe Ausilio sepse unë shikoj më shumë në fushë sesa jashtë saj.” /oversport.tv