Pas sukseseve kundër Genoas dhe Veronas dhe pushimit për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare, Interi i Simone Inzaghit do të rifillojë kampionatin në transfetën kundër Sampdorias me objektivin për të qëndruar në krye të renditjes se Serie A me pikë të plota.
Në prag të kësaj ndeshjeje tekniku zikaltër ka folur në një konferencë për shtyp: “Lojtarët amerikano-jugorë nuk i kam parë akoma, mungesa e tyre nuk na lë vend për shumë alternativa. Edhe Bastoni do të mungojë, sepse ka një problem.
Është një sfidë kjo kundër Sampdorias që nuk kemi patur shumë kohë për ta përgatitur, por nesër do të mundohem të hedh në fushë formacionin më të mirë”.
Në lidhje me sfidën kundër Realit në Champions, Inzaghi ka thënë: “Do të jetë një ndeshje tërheqëse, që do ta shijoj shumë. Por tani duhet të mos mendojmë për Realin, por për ndeshjen e radhës në kampionat kundër Sampdorias, që do të jetë shumë e vështirë”.
Pyetjes në lidhje me blerjen më të fundit, Dumfries, tekniku i është përgjigjur kështu: “Është një lojtar i madh, që vjen nga një kampionat tjetër dhe tashmë po mëson gjuhën.
Do të bëhet një lojtar i rëndësishëm për Interin. Luajmë 7 ndeshje në 21 ditë dhe besoj se do të ketë hapësira edhe për të”. Ndërsa mbyll konferencën thekson se Sensi do të jetë i gatshëm për këtë takim. /Oversport.tv