Irani trondit Uellsin në shtesë, Cheshmi dhe Rezaeian vulosin një sukses historik

Irani merr fitoren e parë në Botërorin e Katarit, pasi ka mposhtur 2-0 Uellsin në sfidën që hapi maratonën e ndeshjeve të ditës së sotme të Katar 2022.

Gjithçka është vendosur në minutat shtesë. Është fillimisht Cheshmi që zhbllokon sfidën në minutën e 98-të, ndërsa 3 minuta më vonë Rezaeian shënon golin e dytë që vulos fatin e kësaj sfide.

Irani merr tre pikë të arta dhe shpreson kualifikimin në turin tjetër të turneut, ndërsa komplikohet situata e Uellsit, që ka vetëm 1 pikë pas dy ndeshjeve të para të grupit B.

Në “Ahmad bin Ali Stadium” janë iranianët ata që i afrohen më shumë fitores dhe janë të pafat në dy raste, pasi godasin shtyllën me Azmoun dhe Gholizadeh. Skuadra e teknikut Carlos Queiroz arrin të shënojë në pjesën e parë me Gholizadeh, por goli i tij anulohet për pozicion jashtë loje.

Shkëndijën e parë të sfidës se jep Uellsi, që i afrohet golit të avantazhit me Moore. Irani rrit lojën e tij dhe arrin të shënojë në minutën e 16-të, por goli i Gholizadeh anulohet për pozicion jashtë loje. Janë sërish aziatikët ata që rrezikojnë me Azmoun në fund të pjesës së parë. Sulmuesi iranian është i pafat në fillimin e pjesës së dytë, kur gjuajtja e tij ndalet në shtyllë. Janë minuta të mira për Iranin, që godet një tjetër shtyllë me Gholizadeh.

Uellsi mundohet të reagojë, por janë iranianët ata që luajnë më mirë dhe i afrohen golit të avantazhit me Ezatolahi. Hennessey lë Uellsin në inferioritet numerik në minutat e fundit, pasi ndëshkohet me karton të kuq.

Përpjekjet e Iranit materializohen në minutën e 8-të shtesë, kur Cheshmi shënon një gol të bukur nga distanca dhe i jep avantazhin skuadrës së tij. Tre minuta më vonë shënon edhe Rezaeian, që vulos këtë sukses të madh të Iranit.

Mbyllet 2-0 sfida në favor të Iranit, që merr fitoren e parë në këtë Botëror dhe ngjitet në vendin e dytë në grup në kuotën e 3 pikëve. Komplikohen pozitat e Uellsit, që pas 2 ndeshjeve në grup ka grumbulluar vetëm 1 pikë dhe tashmë është me një këmbë jashtë Botërorit. / Oversport.tv

Foto: FIFA World Cup Twitter