Ish-presidenti: Mos e prishini “San Siron”, monument jetik për Milanon

Në Milano është rënë dakord për ndërtimin e një stadiumi të ri, super modern, por mbi themelet e mitikut “San Siro” që duhet shembur. Së fundmi, kur pritet vetëm drita jeshile për të kopsitur gjithçka rreth ndërtimit të impiantit të ri, në rrethin sportiv të njerëzve të rëndësishëm që kanë bërë histori me Interin apo Milanin, po hidhen hipoteza se stadiumi aktual nuk duhet të prishet dhe të gjendet mënyra dhe vendi për ndërtimin e një impianti të ri, paralel.

Një prej këtyre të fundit është edhe ish presidenti i Interit, Ernesto Pellegrini. Ish-presidenti i titullit rekord me zikaltrit në kohën kur një fitore vlerësohej me 2 pikë dhe skuadra milaneze e përfundoi me 58 të tilla në 34 ndeshje në sezonin 1988-1989 (yje të afruar nga Pellegrini në skuadër ishin Rummenigge, Matthaus, Klinsmann e Brehme) shtyn për mos prishjen e stadiumit aktual.

“Unë i qëndroj mendimit për të mos e prishur stadiumin aktual. ‘San Siro’ është një monument kombëtar që nuk mund të prishet. Kryesorja është që të mbetet i pa shembur dhe më [p-as në një moment të dytë le të gjendet një zgjidhje se si do të përfshihet në garat dhe aktivitetet sportive.

Nëse Inter dhe Milan kanë idenë për të ndërtuar një stadium të ri që u nevojitet të dyjave, mund ta bëjnë. Milano do të kishte dy stadiume, siç kanë shumë qytete. Tani na del për detyrë që të bindim bashkinë për të mos e shembur”, flet fillimisht ai.

Për pelegrinin, “San Siro” është një objekt shumë i rëndësishëm edhe për njerëzit, për vetë qytetin. “Unë jetoj aty. Sapo dal në ballkon, shoh ‘Meazzan’. Nuk shoh asnjë problem që në qytet të ketë dy stadiume, pra një tjetër strukturë krahas këtij që ekziston. Fundja, në njërin le të luajnë Inter dhe Milan e në tjetrin të organizohen koncerte”, ka përfunduar ish-presidenti i Interit. /Oversport.tv