Ismailgeci: Nesër do të shihni Tiranën e vërtetë, besoj te përmbysja

Në krah të teknikut Shehi, në konferencën për shtyp në prag të sfidës kundër Dudelange, ka qenë edhe kapiteni i Tiranës, Marsel Ismailgeci.

Lideri i bardhebluve theksoi se skuadra është besimplotë se do të përmbysë disavantazhin e pjesës së parë, duke marrë një fitore nesër.

“Ata ishin shumë agresivë në topin e parë dhe të dytë, por ne do të mundohemi duke parë edhe videot e analizat, që të jemi më agresivë se ata.

Paraqitja ime në ndeshjen e kaluar nuk ishte ajo më e mira, por besoj se këtë herë do të jetë shumë herë më e mirë dhe besoj se çunat janë gati për këtë ndeshje.

Duke parë që fusha atje nuk kishte përmasa normale, siç tha profesori, tani jemi në “Air Albania”, në një fushë me përmasa normale dhe ku mund të luajmë topin si na pëlqen dhe e bëjmë mirë. Ndaj do të jetë një ndeshje krejt ndryshe.

Që kur mbaroi ndeshja e parë kishim shumë besim që do e kthenim këtu dhe besoj se do e kthejmë. E dinim çfarë kemi bërë gabim në ndeshjen e parë dhe kishim shumë besim që te ndeshja këtu do të jetë krejtësisht ndryshe.

Nuk ishim agresivë, nuk ishim shumë të përqendruar, por besoj që Tiranën e vërtetë do e shohim nesër.

Thjesht duke pasur profesorin afër dhe duke e ditur se çfarë eksperiencash ka në Europë dhe duke na marrë veç e veç duke na treguar çfarë mund të bëjmë më mirë në këto ndeshje, kjo na ka mjaftuar.

Ndeshja është 90 minuta, goli mund të vijë në minutë të parë apo 90. Ne thjesht duhet të kemi besim dhe të bëjmë lojën tonë për 90 minuta”, tha Ismailgeci. / Oversport.tv