Italia në alarm total, edhe Giorgio Chiellini jashtë grumbullimit

Italia e Roberto Mancinit po kalon një nga momentet më të vështira në këtë fushatë kualifikuesesh. Në prag të përballjes “finale” për vendin e parë ndaj Zvicrës, trajneri i kampionëve të Europës ka humbur edhe shërbimet e qendërmbrojtësit të Juves.

Giorgio Chiellini ishte në dyshim që në momentin e parë të grumbullimit, por sapo është mësuar përfundimisht lajmi se 37-vjeçari nuk ia del që të jetë në dispozicion për këtë takim. Për qendërmbrojtësin, shqetëson një dëmtim muskulor.

Gjatë ditës së djeshme, nga grumbullimi i axurrëve u largua edhe Immobile. Italia është në kuotë të barabarta pikësh me Zvicrën, me 14 dhe nevojitet patjetër një fitore përballë tyre, në rast se duan që të mos rrezikojnë për sfidën e fundit, ku të besuarit e Mancinit udhëtojnë në transfertë ndaj Irlandës së Veriut, ndërsa Zvicra pret Bullgarinë.

Në përballjen e parë direkte mes tyre, axurrët kanë barazuar 0-0. Momentalisht, edhe pse me pikë të barabarta (4), Italia kryeson grupin C, falë golavarazhit më të mirë 12/1 krahasuar me atë 10/1 që kanë aktualisht helvetët./Oversport.tv