Italia për thellimin e rekordit, Mancini u beson kampionëve ndaj Bullgarisë

Perfeksioni duhet të vazhdojë! Italia e Roberto Mancinit zbret në fushën e blertë sonte si kampione Europe. Ora 20:45 do i ngulë shumicën e italianëve para televizorit, për të parë heronjtë e tyre në një ndeshje kundër Bullgarisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”.

Rrugëtimi deri më tani ka qenë perfekt në grupin C për Italinë, pasi i kanë fituar tre ndeshjet e para dhe kanë një golaverazh 6-0. Motivimi te futbollistët e Italisë është në nivelin maksimal, pasi duan të vijojnë ta thellojnë rekordin prej 37 ndeshjesh radhazi pa humbje.

Robero Mancini gjatë këtyre ditëve ka menduar edhe për formacionin që do të zbresë në fushë nga minuta e parë. Do jetë pothuajse ai që mposhti Anglinë në finalen e EURO 2020.

Ndryshimi i vetëm do të jetë në mbrojtje, me Giorgio Chiellinin që pritet të qëndrojë në stol dhe të luajë në ndeshjen e së dielës kundër Zvicrës. Vendin e tij ka më shumë shanse ta zërë Francesco Acerbi. Opsion është edhe Alessandro Bastoni i Interit.

Si pritet të rreshtohet Italia (4-3-3): Donnarumma; Di Lorenzo, Bonuçi, Acerbi, Emerson; Barella, Jorginho, Verratti; Chiesa, Immobile, Insigne. Trajner: Mancini.

Sky Sport sjell edhe rreshtimin e mundshëm të Bullgarisë (3-5-2): Naumov; Turitsov, Antov, Bozhikov; Karagaren, Chochev, Kostadinov, Vitanov, Nedelev; Delev, D.Iliev. Trajner: Petrov.

/ oversport.tv