Italiano: Juventusi nuk vdes kurrë, duhet të jemi perfekt

Në prag të sfidës, Juventus-Fiorentina, ka folur edhe trajneri Italiano për të dhënë komentet e tij mbi ndeshjen. Ndër të tjera ai tha se Juventusi është një ekip që nuk vdes kurrë pavarësisht periudhës së vështirë që po kalon, si dhe tregoi rëndësinë që ky takim ka për tifozët toskanë.

“Juventusi për mirë apo për keq është një ekip që ka cilësi dhe nuk vdes kurrë. Ata vijnë në ndeshjen e nesërme me një besim tjetër, pas fitores në Champions League. Kanë cilësi shumë të lartë në fazën ofensive, me lojtar të shpejtë dhe teknikë. Do të duhet të jemi të kujdesshëm, thuajse perfekt”.

“E di sa shumë na duan tifozët ne. E perceptoj nga lojtarët që janë këtu prej vitesh. E kemi përgatitur sfidën mirë, por nesër fusha do të jap verdiktin final. Është një provë e vështirë, do të shohim çfarë mund të bëjmë”.

VLAHOVIC- “Po flasim për një djalë që ka shënuar 8 gola në 11 ndeshje. Në disa të tjera ne nuk kemi qenë të mirë për t’i shërbyer atij. Ai jep shpirtin në çdo sfidë. Nëse më parë ka pasur disa probleme, kjo vjen edhe falë kundërshtarëve. Megjithatë, një sulmues që vjen pas një triplete ka besim maksimal”. /oversport.tv